Sezoni që thuajse ka përfunduar ishte një provë, e cila duhej të kalohej me sukses. Mauro Ikardi nuk ishte vetëm i huazuar nga Interi tek Paris SG, por duhej të rivendoste qetësinë në karrierën e tij të trazuar pas konflikteve në Milano. Sulmuesi i zot argjentinas, që ka në krah gruan dhe agjenten e tij, Uanda Narën, ishte në konflikt me shokët tek Interi ashtu si edhe me trajnerin e drejtuesit, mbetet në konflikt deri edhe me familjarët e tij (ndonëse kjo është gjë private), dhe dyshimet ishin të mëdha nëse do të mbante dot statusin e një ylli të rëndësishëm.
Reali i Madridit e tërhoqi interesimin për të verën e kaluar, ose të paktën në atë kohë u mor vesh, tek Juventusi vështirë të shkonte për shkak të klauzolës interiste, ndërsa në Angli nuk e konsideronin klubet kryesore. Paris SG mbetej “oazi i fundit i shpëtimit” dhe për fat kështu duket se doli. Një sezon me 20 gola e 4 asistë në 31 ndeshje, dhe me ndikim të rëndësishëm në krah të Mbapesë e Nejmarit, ishte një konsakrim se Ikardi mbetet në elitën e futbollit. Fakti që PSG e bleu kartonin e tij për gati 60 milionë euro do të thotë shumë në kohën e koronavirusit. Mauritos i mbetet të konfirmohet si shoku i mirë i skuadrës, dhe po ashtu Uandës i duhet të mendohet përpara se të flasë për klubin parizien. Jo më kot thuhet se pësimi bëhet mësim.
Sfidanti.al