Superylli mbetet më i shtrenjti në tregun botëror, të paktën për momentin, por në klubin e tij mendojnë se mund t’ia dalin edhe pa të. Nejmar mund të ketë shënuar gola vendimtarë në 3 nga 4 ndeshjet e fundit të kampionatit, por Paris SG beson se është më pak i varur se më parë nga braziliani. Jo më kot, trajneri Tomas Tuhel ka edhe mjaft të tjerë në sulm, që nga Mbape, Ikardi, Kavani e deri tek Çupo-Moting e Draksler.
Gjithsesi, gjithçka do të provohet këtë fundjavë kur në Ligën e Parë të Francës të luhet dueli i kreut të tabelës mes PSG-së dhe … Anzherit! Kjo sepse Tuhel nuk do të ketë në dispozicion pikërisht Kilian Mbapenë. Kampioni 20-vjeçar i botës, që kishte munguar prej gushtit për shkak të një dëmtimi në kofshë, u lëndua sërish pasi kishte luajtur vetëm dy ndeshje (Bordo, Gallatasaraj).
“Nuk është e mundur që ai të jetë me ne sot, – tha Tuheli, – nuk është ndonjë gjë e rëndë, një reaksion mes zonës së dëmtuar dhe nervit, që kërkon pak kohë që të shërohet. Kiliani do të kthehet shpejt”.
Sfidanti.al