Titulli nuk fitohet nëse nuk ke lojtarët e duhur. E di këtë edhe Nisa, kryesuesja e papritur e kampionatit francez, që po kërkon të përforcohet në janar. Mario Baloteli ka bërë pjesën e tij, po ashtu edhe disa nga lojtarët e tjerë të rëndësishëm. i pari në radhë dhe më i rëndësishmi, sulmuesi Ezekiel Laveci. Ish-lojtari i Napolit dhe i Paris SG, është në Kinë, por mund të huazohet për fazën e dytë, ndërsa Nisa do të përfitonte nga aksionerët kinezë që zotërojnë 80 për qind të klubit. Laveci do të siguronte fuqi sulmuese, dhe nuk do të rrezikonte me përshtatjen, pasi e njeh kampionatin francez.
Nisa mbetet keq sa herë që ka ndonjë dëmtim apo impenjime të shumta. Mario Baloteli është i dëmtuar dhe nuk do të luajë për 3 javë në kampionat, me kthimin që pritet në përballjen në fushën e Paris SG në 11 dhjetor. Po ashtu, skuadra ka limitet e saj, ndaj edhe u eleminua nga Liga e Europës. Për këtë arsye, klubi po mendon të marrë masa që të mos shkatërrojë me duart e veta një sezon deri tani shumë të mirë.