Nejmar tremb Paris Sën Zhermenin: Më mungon koha e kaluar në Barcelonë

Nejmar Jr në verën e vitit 2017 theu zemrat e tifozëve të Barcelonës teksa vendosi që të transferohet te Paris Sën Zhermeni me klubin francez që pagoi klauzolën e kontratës së futbollistit prej 222 milionë Eurosh. Por në Paris braziliani duket se e ka humbur buzëqeshjen dhe humorin e tij për një sërë arsyesh mes të cilave problemet me Edinson Kavanin dhe eliminimet në Ligën e Kampioneve. Braziliani në një situatë të tillë e sheh veten të pushtohet nga nostalgjia për të kaluarën e tij me fanelën e Barcelonës gjë që  e shpreh edhe në një intervistë të dhënë për bashkëkombasin e tij, Fenomenin Ronaldo.

‘Sezonet që përjetova në Katalonja ishin fantastike, ishim një skuadër e shkëlqyer brenda dhe jashtë fushave të lojës dhe raportet mes nesh ishin speciale-tregon Nejmar-më mungojnë ato momente’.

Është kjo një deklaratë që i tremb shumë tifozët e Paris Sën Zhermenit, pavarësisht garancisë së dhënë nga presidenti Al Kelaifi për qëndrimin e Nejmarit në radhët e kampionëve të Francës si dhe rindez zërat e merkatos që e shohin 27 vjecarin të rikthehet në Spanjë ku në garë për të është edhe Reali i Madridit.

Në këtë pikë lind pyetja: Cila do të jetë e ardhmja e tij? Është ende herët për të folur për këtë, por duket se Nejmar dëshiron kthimin te Barcelona.

sfidanti.al