Është koha e “finteve”, ose e “goditjeve gjoja”, siç ishte ajo e Paris SG që deklaroi (sipas mediave), se më mirë pranon ta humbasë me kosto zero Kilian Mbapenë në 2022, sesa të pranojë që kartoni i tij të shitet nën çmim. Sheikëve të Gjirit Persik u lejohen këto lojëra, aq më shumë që e ndjejnë më pak krizën e koronavirusit. Një tjetër “finte” mund të quhet ajo e Nejmarit që deklaron se “çdo ditë që kalon pa futboll më shton ankthin, dhe mezi pres të kthehem të luaj me shokët e mi të PSG-së”. Me gjasë, braziliani mezi pret që të luajë me ish-shokët tek Barcelona.
Një lajm tjetër ishte që Tomas Tuheli do Karim Benzemanë tek Paris SG, me sulmuesin francez që do të kthehej në shtëpi, nëse kjo do të ndodhte. Benzema nuk është më ai i dikurshmi, por sërish ka qenë shënuesi më i mirë i Realit këtë sezon. Madrilenët mund të pranonin, por vetëm nëse do të mundeshin të arrinin tek Mbapeja. “Fintet” e tjera janë të Ikardit, për të cilin tani jepet të interesuar disa klube. Lojë e vërtetë duket propozimi i PSG-së për Mbapenë e Nejmarin, që të qendrojnë edhe më tej në shtëpi, kundrejt rrogave të jashtëzakonshme.
Sfidanti.al