Murinjo di të habisë: Nga largimi i Ibros përfitoi i gjithë futbolli francez!

Trajneri i Mançester Junajtidit, Zhoze Murinjo, vuri në dukje, dje, se nga largimi i sulmuesit Zllatan Ibrahimoviç nga Paris Sen Zhermeni (PSZH) për te ManU-ja përfitoi i gjithë futbolli francez, njofton portali goal.com, duke sjellë fjalët e specialistit portugez: “Mendoj se në Francë të gjithë duhet të jenë të gëzuar se Ibrahimoviçi u largua nga ky vend. Të paktën, tani, Franca ka një kampionat të vërtetë. Kur  luante Zllatani atje, ju (Franca) nuk kishit kampionat. Ishte vetëm Parisi, Parisi dhe Parisi (PSZH) dhe askush tjetër. Kampionat, Kupë, Kupë e Ligës, Superkupë… Ky ekip fitonte gjithçka”, vë në dukje Murinjo, duke theksuar se ai e ndjek, tani, me interes kampionatin francez. “Atje, tani, janë Nica me Balotelin, Monako e mikut tim, Leonardo Zhardim, dhe PSZH-ja.  Falë largimit të Ibrahimoviçit, unë, tani,  shoh Ligën 1 të Francës”, shton trajneri i ManU-së.

Zllatan Ibrahimoviçi kaloi te Mançester Junajtidi, pa u paguar as edhe një euro për të, në verën e vitit 2016. Në përbërje të ekipit të parisienëve, Ibroja kaloi katër sezone, luajti në 178 ndeshje dhe shënoi 152 gola. Me PSZH-në, sulmuesi suedez u bë katër herë kampion i Francës, fitoi dy herë Kupën e Francës, tri herë – Kupën e Ligës dhe një herë – Superkupën e Francës.

Sfidanti.al