Kush nuk e mban mend rekordin e transferimeve të Kristiano Ronaldos në 2009, kur Reali u detyrua t’i paguante Mançester Junajtidit plot 94 milionë euro. Ai rekord u thye më vonë, por bëri bujë ndërsa portugezi pati një marrëveshje burrash me trajnerin e tij, Sër Aleks Fergusonin. Pranoi të qendronte edhe një vit, ndërsa skocezi ia arriti që të fitonte rekordin botëror nga madrilenët.
Pak a shumë këtë gjë po bën edhe Kilian Mbape, pasi superylli i Paris SG nuk dëshiron ta lerë në baltë ekipin e tij. Pas 3 sezonesh në kryeqytetin e Francës, ai pati shansin që të largohej “dhunshëm” për tek Reali, pasi kontrata e tij përfundon në 2022. Në bisedime me klubin, Mbape pranoi të rinovojë marrëveshjen, gjë që do t’i japë mundësinë PSG-së të fitojë një shifër tepër të madhe për të, me shumë siguri një rekord të ri botëror që mund të arrijë në 250 milionë euro.
Reali nuk ka mbetur aspak i kënaqur nga këto zhvillime, por nuk ka çfarë të bëjë. Madje, duhet ta respektojë Mbapenë që, edhe pse është vetëm 21 vjeç, di të sillet si lojtar i vërtetë skuadre dhe lojtar i vërtetë klubi. Kjo do t’i bëjë mirë vetë Realin në të ardhmen. Natyrisht, kampioni i botës është kujdesur që në kontratë të ketë një klauzolë që ta bëjë Madridin, kandidatin e tij preferencial, si dhe të ketë një rrogë sa Nejmari, me 700 000 euro në javë.
Sfidanti.al