Mbape: Ëndërroj të luaj me Zidanin lojtar, jo trajner!

Ku do të shkojë Kilian Mbape? Klubet angleze, Mançester Junajtid dhe Mançester Siti janë të interesuar për të, por padyshim edhe Reali i Madridit. Gjithsesi, 18-vjeçari francez lëshoi një batutë që mund të frenojë “fantazinë” e tifozëve madrilenë. “Kur kam thënë se do të kisha dashur  të luaja me Zidanin, e kisha fjalën për Zidanin lojtar, jo Zidanin trajner”, – u shpreh ai. Sulmuesi adoleshent mohoi lidhjet me Realin, por shtoi se “nuk është problem për mua që të largohem nga Monako”.

Mançester Siti, ndërkaq, është distancuar nga lajmet se ka bërë një ofertë prej rreth 130 milionë eurosh për Mbapenë, ndërsa më herët është shkruar se Mançester Junajtid dhe Reali kanë bërë oferta me vlerë rreth 85 milionë eurosh. “Dua të mendohem mirë për të ardhmen dhe nuk kam pse të nxitohem, – ka thënë Mbape, – nuk dua të shkoj në një skuadër ku të luaj më pak. Gjithsesi, do të dëgjoj edhe trajnerin Deshamp, këshilla e tij do të ketë rëndësi”.

Sfidanti.al