Monako bëri një sensacion të vërtetë, duke fituar titullin e kampionit të Francës dhe duke ndërprerë dominimin e PSZH-së që, gjatë katër viteve të fundit, me radhë, e kishte fituar këtë titull. Një nga lojtarët që ka meritën më të madhe që titulli i shkoi ekipit të Principatës së vogël të Monakos, sigurisht, që është Kilian Mbape, një futbollist i jashtëzakonshëm që, gjatë këtij sezoni, me të vërtetë, shkëlqeu në skenën evropiane të futbollit. Mbape shënoi edhe golin e parë në ndeshjen e fundit me Sent Etienin, duke konfirmuar edhe një herë tjetër zhvillimin e pazakontë të këtij lojtari të ri vetëm brenda një viti, duke pasur parasysh se, vjet, ai luante me ekipin e të rinjve të “princërve”.
“Vetëm të kujtoni se, vjet, unë luaja me të rinjtë. Mbaj mend, po luanim një ndeshje në Gambardela, ku unë po luaja në mënyrë fantastike, por, shpejt, mamaja ime ‘më zbriti në tokë’, duke më thënë se të mos harroja se unë po luaja me kalamaj! Menjëherë, i thashë asaj se unë mund të luaj kështu edhe me kundërshtarë të rritur. Dhe ja, kaloi vetëm një vit dhe ka ndodhur ajo që thashë unë. Nuk dua që të tregohem mendjemadh, por, thjesht, unë i vej vetes objektivë të lartë që dua që t’i arrij”, vuri në dukje Mbape, duke mos e fshehur kënaqësinë e madhe që ndjente për titullin e fituar.
Sfidanti.al