Kryengritja ishte e shkurtër, Nejmar jo çdo ëndërr realizohet në jetë!

Nuk mund të jesh një futbollist profesionist dhe të sillesh si Robin Hud. Një luftë nuk e fiton dot i vetëm, dhe të tillë si Dembele, Mbape, Kristiano Ronaldo apo vetë Nejmar, ia dolën sepse kishin një klub që i donte me patjetër. Për Nejmarin këtë verë është ndryshe. Ai refuzoi fillimisht të bashkohej me Paris SG, në datën e caktuar, por “kryengritja” u shua shpejt, kur sulmuesi mori vesh se Barcelona nuk kishte “takat” këtë vit për ta marrë “me dhunë”.

Paris SG kupton vetëm gjuhën e milionave, dhe katalanasit këtë verë janë pak “ngushtë”, pasi shpenzuan për De Jongun e Grizmanin, ndërsa nuk kanë arritur deri tani të transferojnë asnjë lojtar të rëndësishëm si Kutinjo apo Dembele. Kjo situatë bëri që Nejmar të kthehet në gjirin e skuadrës (ku vështirë se e duan), dhe të nisë fazën përgatirore në palestër. Do të bëjë si do të bëjë edhe këtë vit, se verën e ardhshme, besohet që Barcelona do të verë “dorën në zemër” dhe t’ia realizojë ëndrrën e tij të vonshme.

Sfidanti.al