Prej tij pritej diçka e tillë. Nejmar nuk është as Fabregas, as Mbape dhe as Pogba, të cilët pavarësisht ndonjë problemi (më shumë ky i fundit) e respektuan disiplinën e klubit. Braziliani bëri kryengritje të hapur duke mos u paraqitur ditën e caktuar në grumbullim, për nisjen e punës për sezonin e ri. Ai dëshiron të largohet nga Paris SG, madje menjëherë, diçka që klubi nuk ka dëshirë ta bëjë pa marrë ofertën e duhur.
Tashmë që lufta është shpallur, dhe paqja është larg, çfarë do të ndodhë me skuadrën kampione të Francës dhe me klubin kryeqytetas? Do të dalin më të fortë apo më të shkatërruar nga kjo përplasje “galaktike”. Për momentin, duket se në Paris janë të vendosur dhe se do të nxjerrin mësime. Nejmar ka qenë ylli i vetëm të cilit i tolerohej thuajse gjithçka, dhe pasojat erdhën.
“Nuk duam më sjellje prej ylli, – ishin fjalët e presidentit Al Helaifi, në një intervistë për “Frans Futbollin”, – do të marrim masat e duhura për shkeljen e disiplinës. Kjo vlen për të gjithë”. Kavani e Pastore u dënuan dy vjet më parë për të njëjtën shkelje, dhe kështu do të ndodhë edhe me Nejmarin. Përsa i përket transferimit apo jo, kjo varet nga vullneti i klubit dhe nga kapaciteti financiar i Barcelonës për të paguar. PSG deshi t’ia jepte numrin 10 Realit, por duket se vetë madrilenët nuk ishin gati, ose edhe vetë futbollisti nuk pati dëshirë.
Sfidanti.al