Klubi francez akuzon për ofendime raciste në një stadium … pa tifozë!

Këtë e ka bërë Troje për ndeshjen e Ligës së Parë të Francës të luajtur në fushën e Olimpikut të Marsejës. Akuza është se sulmuesi koreanojugor Suk Hjun-jun u ofendua për ngjyrën e lëkurës dhe për racën e tij në stadiumin “Velodrom”, ndonëse ndeshja e fundjavës së kaluar u luajt me dyer të mbyllura, pasi klubi marsejez ishte i dënuar për probleme të mëparshme me tifozët. “Troje është i informuar, pasi ndoqi pamjet filmike të ndeshjes ndaj Marsejës, për akuza raciste ndaj sulmuesit Suk Hjun-jun”, – shkruhet në komunikatën zyrtare të klubit. Ofendimet janë regjistruar nga kamerat e transmetuesit “Amazon Prajm” (Amazon Prime). Troje deklaron se do të ndjekë rrugën ligjore, ndërsa ofendimet mund të kenë ardhur nga punonjës të sigurisë, nga djemtë që mbledhin topa pas porte apo nga punonjës të klubit vendas.

Sfidanti.al