Ish-ylli i Barçës sulmon Nejmarin: Të dielën nuk shihej me sy!

Kristof Dygarri ka qenë një nga sulmuesit e njohur të Barcelonës, edhe pse jo në nivelin e të tillëve si Mesi, Eto, Suarez apo Nejmar. Gjithsesi francezi nuk u kursye aspak me kritikat për yllin e larguar nga katalanasit, Nejmar, pas kartonit të kuq të marrë të dielën e kaluar në Ligën e Parë të Francës.

“Nejmar ndoshta mendoi se ishte në kopshtin e shtëpisë duke luajtur me shokët, – tha Dygarri duke komentuar derbin e Francës, Marsejë-PSG, – vendosi vetëm që të provokonte kundërshtarët duke i pritur 45 metra larg portës. Tërësisht e padobishme. Ku është Nejmari i ndeshjeve të para me Parisin kur luante me një apo maksimumi dy prekje të topit, dhe përshpejtonte lojën”.

“E diela ishte e padurueshme, – vazhdoi ai, – nuk mund të argëtohesh me një futboll të tillë. Ishte ndeshja më e dobët e Nejmarit që kam parë ndonjëherë”. Paris SG pati nevojë për golin e Kavanit në fund që të merrte të paktën një barazim në “Velodrom”.

Sfidanti.al