Kush është skuadra më e suksesshme e Europës në kampionat deri tani? Bajerni, Juventusi, Reali i Madridit apo Mançester Siti? Jo, është … Nisa. Skuadra modeste franceze, me një buxhet të paktën disa herë më të vogël sesa gjigandët, jo vetëm kryeson ligën franceze, por edhe ka mesataren e pikëve për ndeshje më të mirë në kontinent.
Me 26 pikë në 10 takime në ligën e parë të Francës, Nisa ka mesataren 2.60 pikë për çdo sfidë, duke lënë në vendin e dytë Bajernin me 2.50, dhe më pas Juventusin me 2.33. Për momentin, të mëdhenjtë e Anglisë dhe Barcelona janë edhe më në bisht.
Të mbiquajtur “Shqiponjat e vogla”, ato kanë gati 60 vjet që nuk luftojnë për titull në Francë, që nga vitet 50-të kur fituan 4 tituj. Këtë sezon është ndryshe, ndonëse mrekullia nisi që edicionin e kaluar, nën drejtimin e trajnerit me përvojë Klod Pyel. Largimi i Pyelit dhe disa lojtarëve kryesorë (si Hatem Ben Arfa) nuk e dëmtoi Nisën. Në vend të Pyelit, erdhi Lysien Favre, ish-trajneri zviceran i Mynshengladbahut. Me lojtarë të rinj si portieri Kardinale (22 vjeç), Sarr (17), Kozielo (20), Siprien (21), Plea (23) por edhe me futbollistë me përvojë si Baloteli, Dante, Seri apo Rikardo Pereira, Nisa është bërë edhe më e fortë.
Mbetet të shihet nëse Favre dhe yjet e tij modestë do të mundin të lenë pas deri në fund Paris SG, Monakon, Lionin apo Marsejën.
B. Kuka