As Paris SG nuk ishte në gjendje të mposhtte surprizën e sezonit. Duket se ky edicion në Francë do t’i përkasë Nisës, ndonëse skuadra nga Bregu i Kaltër nuk do të ketë rivale vetëm atë pariziene. Uilan Siprien dhe Alasane Plea shënuan dy gola të shpejtë për miqtë në “Park dë Prens”, ndonëse fitorja nuk do t’i buzëqeshte. Edinson Kavani, sulmuesi më i mirë i PSG-së me largimin e Ibrës, realizoi në nisje të pjesës së dytë dhe pastaj sapo ishte mbushur një orë lojë për të shpëtuar të paktën një pikë për kampionët në fuqi.
Nisa mbajti epërsinë 4-pikëshe me kryeqytetasit, veçse konkurrenca është e fortë nga Monako. Klubi i fuqizuar nga nga paratë e ardhura nga Rusia është tani vetëm 1 pikë larg kreut, 39 ndaj 40. Jo vetëm kaq, por Monako duket skuadra më e fortë në të gjithë aspektet. Ekipi nga Principata ka shënuar 53 gola në 17 ndeshje, ndaj 32 të realizuar nga Nisa dhe Paris SG. Duket se do të jetë vetëm çështje kohe, kur Monako të dalë në krye të ligës së parë franceze.