Dëmtimet dhe tekat, basti i vështirë i Barçës me Nejmarin

Është fjala për një “paketë” ku përfshihet talenti dhe fama botërore. Kjo e shtyn Barcelonën të rrezikojë “gjithçka për gjithçka” në transferimin e mundshëm të Nejmarit, ndonëse një “martesë” e dytë nuk do të ishte aspak e lehtë. Së pari, katalanasit i kanë kërkuar yllit brazilian të Paris SG që të deklarojë hapur se dëshiron të kthehet në “Kamp Nou”. Kjo, më shumë për të detyruar francezët të ulin kërkesat e tyre prej rreth 220 milionë eurosh, por edhe për të krijuar një ndjenjë pozitive tek tifozët. Shqetësim tjetër i madh janë tekat e tij, që i krijuan probleme tek Barça, si dhe në Paris.

Gjithsesi, një “këmbanë alarmi” vjen nga ish-mjeku i PSG-së, Erik Rolan, që deklaroi për “Lë Parizienin” se “këmba e Nejmarit është tepër delikate, dhe ai rrezikon të pësojë sërish të njëjtin dëmtim në gisht, nëse kthehet në fushë tepër shpejt”. Braziliani u dëmtua në kockën e pestë metatarsale të gishtit në këmbë, në shkurt 2018 dhe janar 2019. Kjo mund të ndikojë në vendimin e katalanasve, por edhe në atë të Realit. Përsa i përket Nejmarit, gazetat shkruajnë se ai nuk dëshiron të bëjë deklaratë publike, pasi nuk ka siguri as tek Barcelona dhe as tek Madridi.

Sfidanti.al