Lazio, Inzaghi drejt një superrinovimi, Lotito dëshiron ‘Fergusonin’ e tij

Lidhja mes Simone Inzaghit dhe Lazios është e destinuar të zgjasë edhe për shumë kohë. Ditët e fundit pati një përshpejtim të tratativave për rinovimin e kontratës së trajnerit që skadon në vitin 2021. Lotito e ka shumë për zemër trajnerin e skuadrës së tij dhe është gati t’i ofrojë një zgjatje të kontratës deri në vitin 2025 me synimin për ta bërë atë ‘Fergusonin bardhekaltër’.

Për më tepër, për Inzaghin është gati edhe një rritje e pagës së tij nga 2 në 3 milionë Euro në sezon, shifër së cilës do t’i shtohen edhe bonuset. Kontaktet mes palëve kanë qenë të vazhdueshme, sidomos tani që kampionati italian është ndalur dhe impenjimet sportive janë të pakta. Vullneti është i njëjtë nga të dy palët, edhe pse për një sërë arsyesh  ka shumë mundësi që kontrata e re që do të firmoset nuk do të jetë përtej vitit 2023. Edhe 2 vjet të tjerë, kohëzgjatja standarde e rinovimit të kontratës për trajnerët në futbollin italian.

Nëse  kontrata e re do të firmoset brenda një kohe të shkurtër, Inzaghi do të ketë mundësinë të përqendrohet te lufta për titullin(nëse Serie A do të nisë) dhe te një rekord I rëndësishëm; Inzaghit do t’i mjaftojnë 12 ndeshje në stolin e Lazios për të kaluar Lorenzo e Zoff e për t’u bërë trajneri me më shumë sfida pankinë në historinë e klubit roman.

Sfidanti.al