Lautaro pranon rrogë më të vogël, por më mirë tek Interi

Në verë e kërkoi Totenhemi dhe padyshim që do t’i jepte më shumë, ndërsa verën e ardhshme në derën e tij mund të trokasin klube të tjerë si Barcelona, apo nga Anglia ku nuk përjashtohen as Njukasëlli dhe as ndonjë tjetër ekip i rëndësishëm. Gjithsesi, Lautaro Martinez, “binjaku i ri” i Mesit tek Argjentina, vendosi ta lidhte të ardhmen e tij me Interin duke rinovuar kontratën deri në 2026. Nuk dihet mirë sesa mund të ishte rroga, por besohet se do të jetë 6-7 milionë euro në sezon. “Forca Inter, shihemi në stadium”, – u shpreh sulmuesi argjentinas në një video të botuar në rrjetet sociale, – jam shumë i lumtur që do të qendroj këtu për një kohë të gjatë. Ju dërgoj një përqafim të fortë”. Për momentin, Martinez nuk po shënon si vitet e kaluara, e ndoshta po vuan mungesën e Lukakut, por gjithsesi cilësia e tij është e qartë dhe ai besohet se do të nisë shpejt që të shënojë për Interin e Inzagit, ashtu siç bëri për Interin e Kontes.

Sfidanti.al