Lacio nis merkaton, Lotito kryen dy transferime “të shpejta”

Pas largimeve të shumta nga radhët e Lazio, si drejtori sportiv, Igli Tare dhe “katalizatori” i mesfushës, Sergej Milinkoviç-Saviç, Presidenti Lotito më në fund ka vendosur të forcojë ekipin për sezonin e ri, teksa ka surprizuar teknikun Sarri me dy blerje të shpejta.

I pari është ish-mesfushori i Eintrakt Frankfurt, Diaçi Kamada, i cili vjen te “shqiponjat” romake, si një transferim i lirë pas skadimit të kontratës me gjermanët. Te Lacio, “strategu” japonez i mesfushës do të firmosë një kontratë për 2 sezonet e ardhshme, me opsion për një shtesë dhe pritet të vihet nën urdhrat e teknikut italian, javën e ardhshme.

Në krahun tjetër, përveç mesfushës është forcuar dhe sulmin, teksa është afruar “fantazisti” danez i sulmit, Gustav Isaksen. Për këtë të fundit, bordi i Lazio derdhi plot 12 milionë euro në arkat e danezëve të Midtjyland, për një lojtar, i cili sezonin e shkuar arriti të shënojë plot 22 gola e të dhurojë 9 asistime, në 45 përballjet e zhvilluara. Përsa i përket kontratës personale, Isaksen, pritet të zbarkojë në Romë ditët në vijim, ku pas kalimit të testeve mjekësore do të firmosë një kontratë 5-vjeçare, nga e cila do të përfitojë 1.5 milionë euro në sezon.

 

sfidanti.al