Zidan mund të hedhë në fushë treshen magjike, Hazar-Benzema-Asensio!

Ka qenë e pamundur deri tani, për shkak të dëmtimeve. Tek Reali nuk është shfrytëzuar gjithë potenciali i yjeve, sepse Eden Hazar ka qenë i dëmtuar që nga 22 shkurti, ndërsa Marko Asensio ka qenë jashtë për gjithë sezonin deri tani. Me kthimin e tyre në stërvitje, trajneri Zinedin Zidan mund të ndërtojë një vijë ofensive që mund të quhet prej ëndrrash, e përbërë pikërisht nga Hazar-Benzema-Asensio. Kur duhen edhe 11 ndeshje deri në përfundim të La Ligës, tifozët mund të shpresojnë që skuadra e tyre mund t’i rikuperojë dy pikët epërsi që ka Barcelona.

Në “Bernabeu” u ankuan për kalendarin, duke u shprehur se në shumë raste, Reali do të duhet të luajë një ditë me vonesë në krahasim me katalanasit. Pra, Barça mund të fitojë ndaj Majorkës e të shkojë në 5 pikë epërsi, kur mund të ndodhte ndryshe, që Madridi të luante më parë ndaj Eibarit, të fitonte dhe të dilte në vend të parë me 1 pikë mbi Mesin me shokë. Gazeta “AS” shkruan se kalendari i ka dhënë Barcelonës epërsi në javët 28, 29, 30 e 31, gjë që mund të jetë vendimtare.

Sfidanti.al