Tani Barcelonës i vjen shumë keq, por Mbape ia ka mbathur…!

Ka shumë mundësi që ky të jetë një nga gabimet më të mëdhenj që ka bërë Barcelona në historinë e vet, pasi vetëm para pak më shumë se një viti ajo kishte mundësinë që të merrte në radhët e veta supertalentin francez, Kilian Mbape, por e la të ikë, sepse ai nuk ia mbushi mendjen!
Dhe që nuk është fjala për ndonjë spekulim mediaje, këtë e provon njeriu që përgjigjet për karrierën e futbollistit ndoshta më të talentuar që është shfaqur në fushat e futbollit gjatë dhjetëvjeçarit të fundit. Emri i Mbapes, atëkohë, lidhej me Realin e Madridit, por në fund ai përfundoi te PSZH-ja.
“Unë i ofrova mundësinë Barcelonës që ne të uleshim dhe të bisedonim për Mbapen, por njerëzit e saj nuk u treguan të interesuar. Sipas meje, ata bënë një gabim mjaft të madh, pasojat e të cilit do t’i ndjejnë në vitet e ardhshëm. Unë vendosa kontakt me Barcelonën, pasi i ati i Kilian Mbapes më tha se i biri i tij kishte një dëshirë të madhe të luante në një ekip me Lionel Mesin”, tha menaxheri i futbollistit francez, Hosep Maria Minguela.
Sfidanti.al