Fiorentina u bë me një përforcim të ri, duke siguruar shërbimet e sulmuesit të ri argjentinas, Xhovani Simeone, i biri i trajnerit të Atletikos së Madridit, Diego Simeone. Simeone i ri, 22-vjeçar, la përshtypje të mira në sezonin e tij të parë në Serinë A me Xhenovën, duke shënuar 12 gola në 35 ndeshje. “Ky është një shans mjaft i mirë për mua dhe një transferim, të cilin unë e dëshiroja”, tha Simeone me rastin e kalimit të tij te Fiorentina.
Qëkur bëri debutimin e tij profesionist me River Plejtin para katër vitesh, Simeone ka pasur rezultate të ndryshueshme. Mbas transferimit te Xhenova, ai u bë rezervë e Leonardo Pavoletit, por fitoi shans që të luajë, kur ky i fundit u dëmtua.
I ati i tij, Diego, zbuloi, kohët e fundit, se nuk donte që ta kishte të birin tek Atletiko e Madridit, trajner i të cilit ai është aktualisht, sepse një gjë e tillë do të ushtronte presion mbi të.
Sfidanti.al