“Shtetrrethim për Grizmanin”, Barça e prezanton nga “dera e pasme”

Nuk do të jetë një ditë entuziazte në “Kamp Nou”, ajo e “heqjes së vellos” për “nusen e re katalanase”, Antuan Grizman. Sulmuesi francez do të prezantohet pa praninë e publikut, ndryshe nga Ronaldinjo, Ibrahimoviç apo Nejmar. Gazetat në Spanjë flasin për shqetësimin e Barcelonës për shkak të irritimit të tifozëve vitin e kaluar, pas “braktisjes” që i bëri kampioni i botës, diçka që nuk ia kanë harruar.

Natyrisht, është gjetur edhe “vegja”, pra justifikimi. Fusha e “Kamp Nout” është duke ndërruar tapetin për të qenë gati për sezonin e ri, ndërsa stadiumi i vogël, është i zënë me një aktivitet tjetër. Ç’të bësh, qëllon edhe kështu! Gjithsesi, e rëndësishme për presidentin Bartomeu dhe për drejtuesit e tjerë është fakti që Grizman do të vijë në skuadër, edhe pse do të jenë të detyruar “ta pijnë deri në fund gotën e helmit”, pra të paguajnë klauzolën e plotë prej 120 milionë eurosh.

Sfidanti.al