Setien e nis punën me Barcelonën e tij në … restorant!

Tri ditë para “vaftisjes” në zjarrin e La Ligës, Kike Setien vendosi të bëntë një lëvizje bashkuese tek skuadra e tij e re, Barcelona. Trajneri “i pikuar nga qielli” i ftoi futbollistët në një darkë të përbashkët, shenjë kjo e respektit, e vlerësimit dhe e lidhjes që duhet të kenë të gjithë me njëri-tjetrin. Me gjasë, ia arriti qëllimit pasi lojtarët u dukën shumë të kënaqur, mbi të gjithë Mesi apo Grizman. Munguan vetëm të dëmtuarit Suarez e Dembele, ndërsa Riki Puig mund të jetë pjesë e rëndësishme e skuadrës së parë.

Darka ishte në një restorant që quhet i treti më i mirë në Barcelonë, dhe i 42-ti më i miri në Europë, dhe shpresohet ta ndihmojë moralisht skuadrën për ndeshjen e së dielës në “Kamp Nou” ndaj Granadës. Kike Setien kishte qenë tek Betisi më përpara, dhe u shpreh ndershmërisht se “as në ëndrrat e mia më të çmendura nuk e kisha menduar se do të isha trajner i Barcelonës, një ditë më parë unë isha në fshatin tim në shoqëri të lopëve, ndërsa tani jam këtu”.

Sfidanti.al