Pep Guardiola, dakord, ishte dhe mbetet një trajner i madh. Po ashtu, Zhoze Murinjo, dhe padyshim Zinedin Zidan po ngjitet në “panteon”. Gjithsesi, këta të mëdhenj të stolit kanë pasur në drejtim skuadra të mëdha dhe me financa të jashtëzakonshme si Barcelona, Bajern, Real Madrid, Inter, Çelsi, ndërsa kur vjen puna tek Diego Pablo Simeone, ky mund të thuhet se “ha bukë veç’.
Trajneri i Atletikos së Madridit e tregon gjithë madhështinë e tij kur shikon klasifikimin e skuadrave spanjolle sipas pikëve të fituara në La Liga. “El Çolo” erdhi në “Visente Kalderon” në 2011-2012, kur “Atleti” ishte në vendin e pestë të kësaj renditjeje historike, me 122 pikë më pak sesa Valencia e vendit të tretë. Çdo sezon që kalonte e ngushte diferencën, derisa madrilenët bardhekuq u ngjitën fillimisht në vend të katërt, duke lënë pas Atletikun e Bilbaos, dhe pastaj dolën të tretët mbi Valencian.
Në edicionin 2016-2017, skuadra e argjentinasit pati gjithsej 3364 pikë të fituara gjatë gjithë pjesëmarrjeve në kampionat ndaj 3340 të Valencias. Një diferencë prej 24 pikësh që në fund të sezonit të kaluar arriti në 56. Po ashtu, Simeone e ka afruar Atletikon me dy gjigandët Realin e vendit të parë (4389 pikë) dhe Barcelonën që është e dyta (4268).
Sfidanti.al