Reali ua “ka zgjidhur duart” 4 lojtarëve, le të kërkojnë klube të tjerë

Reali i Madridit sezonin e ardhshëm do të ketë një pamje krejt të re, ndërkohë që Zinedin Zidane ka nisur rikonstruksionin e plotë të ekipit të tij, duke sjellë përforcime mjaft të mirë dhe emri më “tingëllues” është ai i Eden Azarit që do të vijë nga Çelsi dhe, përmes të cilit, synohet që të mbushet boshllëku që la mbrapa Kristiano Ronaldo që u transferua te Juventusi. Po ashtu, pritet që sulmi të forcohet mbas ardhjes së sulmuesit energjik Luka Joviç, ndërsa Eder Militao pritet që t’i sjellë një kualitet të ri mbrojtjes, ndërkohë që Rodrigo konsiderohet si lojtar i së ardhmes.

Tani, presidenti Florentino Perez ka detyrë primare që të çlirohet nga “yjet” e  mëdhenj aktualë të ekipit “galaktikas”, për pagat e të cilëve ai shpenzon para të mëdha.

Në këto kushte, yjeve të tillë, si Garet Bejli, Isko, Marko Asensio dhe Lukas Vaskez, u është bërë e ditur se ata janë të lirë të zgjedhin cilindoqoftë klub tjetër për sezonin e ardhshëm.

Këtë informacion, në fakt, e publikoi gazetari i njohur sportiv spanjoll, Manu Karenjo, që thotë se, duke shitur këta futbollistë, Reali shpreson të sigurojë mjete financiare suplementare, me të cilat do të mund të blejë shërbimet e Pol Pogbas së Junajtidit.

Sfidanti.al