Reali në krizë; Ronaldo kërkon kthimin te Mançester Junajtid

Sa herë Reali i Madridit është në momente të vështira, ylli i kësaj skuadre shfaq pakënaqësitë e tij. Është një situatë të cilën klubi merenges po e përjeton për të disatën herë me Ronaldon që duket se ka mbetur i zhgënjyer nga drejtuesit e klubit e sidomos nga Florentino Perez.

Sipas asaj që publikohet nga e përditshmja spanjolle AS, Ronaldo ndihet i tradhëtuar nga perez i cili nuk i ka mbajtur premtimet që i ka bërë. Gjithnjë sipas kësaj të përditshmeje, pas fitores në finalen e Ligës së Kampioneve ndaj Juventusit, presidenti i ‘Los Blancos’ i premtoi rinovimin e kontratës që skadon në vitin 2021 dhe që i garanton atij një pagë prej 21 milionë Euro, një shifër që është shumë inferiore nga ajo që përfitojnë Mesi dhe Nejmar. Sigurisht kontrata e re sipas premtimeve të Perez do të shoqërohej edhe nga rritja e pagës. Por Perez nuk i ka bërë ende reale këto premtime të tij duke bërë që luzitani të mendojë për largimin nga kampionët e Spanjës. Orët e fundit është folur për mundësinë e një shkëmbimi me Nejmar, por AS thekson se një lëvizje e tillë ka pak gjasa të ndodhë për të mos thënë aspak. Sipas të përditshmes iberike, dëshira e Ronaldos është të kthehet të Mançester Junajtid, skuadra ku ai nisi rrugëtimin drejt lavdisë.

sfidanti.al