Reali humbi dy pikë? Jo, fitoren në “Bernabeu” e meritoi Vijarreali!

Trajneri Unai Emeri nuk pati ndonjë sukses të madh tek Arsenali apo tek Paris SG, por me Vijarrealin po tregon veten, si dikur me Seviljen. Një specialist për barazimet, ai arriti rezultatin e pestë “X” në 6 ndeshje këtë sezon në La Liga, dhe fituesit në fuqi të Ligës së Europës treguan se dinë “t’ia fikin llampat” edhe më të mirëve të Spanjës, siç bënë sezonin e kaluar me Mançester Junajtidin. Në “Santiago Bernabeu” përfundoi 0-0 dueli nda Realit të Madridit, dhe vetë mediat kryeqytetase detyrohen të pranojnë se rastet më të pastra i patën miqtë.

“Vijarreali ftohu euforinë”, titullon “AS”-i, ndërsa ka kritika për gabimet e sulmuesve Vinisius e Rodrigo, që herë luajnë shkëlqyeshëm, e herë kthehen në “kalamaj” të vërtetë, të kritikuar nga Ançeloti dhe Kasemiro. Vinisius kërkoi falje. Reali kryeson me 17 pikë, por Sevilja të paktën mund ta arrijë për nivelin e pikëv, edhe pse jo për atë të golave. Ajo mundi 2-0 Espanjolin (pa Keidi Baren e dëmtuar) me gola të shënuar nga El Nesiri dhe Rafa Mir. Për Atletikon e Madridit ishte një lehtësim që nuk mbetet më shumë se 3 pikë prapa, pas humbjes së papritur në fushën e Alaveshit.

Sfidanti.al