Përgjigje brilante e Iniestës autolavdërimit të Ronaldos

Emri i Ronaldos ka mbushur faqet e mediumeve evropiane dhe botërore, qëkur ai pretendoi se është futbollisti më i mirë në historinë e futbollit, menjëherë mbasi atij iu dha “Topi i artë” i pestë. Shumëkush reagoi me nënqeshje, dikush i irrituar dhe dikush me simpati, por asnjëri si Andres Iniesta. Ikona e Barcelonës, si të ishte një diplomat i rangut të lartë, reagoi në një mënyrë origjinale, duke i lënë të kënaqur si tifozët e Ronaldos, ashtu edhe ata të Lionel Mesit:

“Nuk jam i sigurt, nëse ai ka thënë tamam kështu, sikurse thonë, por, sidoqoftë, çdo individ, qoftë edhe personalitet, është i lirë të shprehë mendimin ose ndjenjat e tij. Një futbollist, si ai, me pesë ‘Topa të artë’, duket qartë se është ndër më të mirët. Të gjithë, ne, kemi të drejtën e zgjedhjes. Ajo e imja dihet, unë do të zgjidhja kolegun tim, Leo, për shkak të asaj që ai ka bërë dhe vazhdon që të bëjë në fushë. Por, secili ka shijën e tij. Laureatët e këtij trofeu, gjithnjë, kanë arritur me meritë deri tek ai dhe unë nuk mendoj se Ronaldo e fitoi pa të drejtë ‘Topin e artë’ të pestë. Për të votoi shumica, secili ka preferencat e tij”, tha me diplomaci Iniesta.

Sfidanti.al