Afati është si një ultimatum për vetveten. Tek Reali i Madridit duket sikur po bëjnë autosugjestion duke folur përpara pasqyrës: Duhet të rinovojmë sa më shpejt me yjet. Bëhet fjalë për kontratat e reja me Kristiano Ronaldon (bisedimet kanë nisur ndërkaq), Pepe, Isko dhe Karvahal. Gazeta “Marka” duke iu referuar zgjedhjes së papëve të Vatikanit, shkruan se “tymi i bardhë ka nisur të duket në oxhakun e “Santiago Bernabeut” për marrëveshjen e re me Ronaldon”.
Për të tjerët ende jo, por shpresat janë që tymi të mos jetë i zi. Drejtuesit madrilenë kanë vendosur limitin 2-javor ose, nëse nuk bëhet gjë për 14 ditë, bisedimet do të rifillojnë në përfundim të sezonit. Përse kjo skemë? Besohet se Reali kërkon që lojtarët të firmosin sa më shpejt, ose të paktën të premtojnë se do të mbeten në Madrid, pasi kështu largohet interesimi i rivalëve. Isko, Pepe dhe Karvahal kërkohen nga klube të ndryshëm, sidomos në Angli.
Ronaldo pritet të firmosë deri në 2020, kur të jetë 35 vjeç, dhe atëherë do të mbushte plot 11 vjet me Realin. Portugezit i janë dashur shumë më pak për të thyer thuajse të gjithë rekordet e golave, ndonëse për titujt vështirë të barazohet me legjendarët e viteve 50-60-të apo 80-të.
Më herët, klubi i presidentit Perez ka rinovuar me Asension, Modriçin, Krosin, Lukas Vaskezin, Kejlor Navasin dhe Bejlin.
B. Kuka