Në autobiografinë tij, futbollisti gjerman me origjinë turke, Mesut Ozil, shkruan edhe për një grindje të ashpër në dhomën e zhveshjes të Realit të Madridit me trajnerin e asaj kohe të tij, Zhoze Murinjo. Ky futbollist kaloi tre sezone në “Santiago Bernabe” nën drejtimin e Zhoze Murinjos, duke fituar një titull në La Liga, një Kupë të Mbretit dhe një Superkupë të Spanjës. Gazeta “Bild” publikon disa seri nga autobiografia e Ozilit, duke zbuluar disa episode interesantë. Kështu, në pushimin e njerës ndeshjeje, trajneri portugez i foli rëndë Mesutit në sy të lojtarëve të tjerë.
“Ti, mendon se me dy pasime ia hodhe të gjithë ndeshjes? Mendon se je aq i mirë, sa mund të luash me 50 për qind të forcave që ke? Pastaj, ai pushoi, veçse me shikonte ngultas me sytë e tij kafe të errët. Edhe unë, po ashtu, ia kisha ngulur sytë. U krijua një situatë, si në rastin e dy boksierëve para raundit të parë të ndeshjes që shohin ngultas, sikur do ta hajnë me sy njëri-tjetrin. U përpoqa që të mos shprehja asnjë emocion. Kurse ai priste përgjigje nga unë. Nuk mund ta shpreh dot me fjalë sesa e urreja në atë moment, megjithëse, të them të drejtën, e kam adhuruar dhe e adhuroj edhe tani”, tregon Mesut Ozili në autobiografinë e tij.
Kur grindja u shkallëzua më tej, Ozili e hodhi bluzën e tij në drejtim të Murinjos, kurse “speciali” ia ktheu: “Shiko, shiko, tani, nuk do as që të luash! E di, Mesut, ti je një frikacak, je si një bebe. Tani, na thuaj se çfarë do? Do të shkosh që të jargavitesh në dush apo do t’u tregosh shokëve të tu dhe tifozëve se çfarë di që të bësh?”. Ozili, megjithatë, atëkohë, zgjodhi dushin, por, mënjëherë, e kuptoi se kishte vepruar gabim, kështu që, atë mbrëmje, shkoi te Serhio Ramosi dhe i kërkoi falje, ndërsa, me pas, shkoi edhe te lojtarët e tjerë, të cilëve, gjithashtu, u kërkoi falje.
sfidanti.al