Nuk sosin emrat në garën për t’u ulur në stolin e Realit

Reali i Madridit ndodhet në përpjekje intensive në kërkim të një trajneri të ri, mbas shkarkimit të trajnerit të deritanishëm, Hulen Lopetegi. Deri tani, si kandidat kryesor për këtë detyrë ka qenë trajneri italian, Antonio Konte, duke qenë se ky i fundit është i paangazhuar. Sidoqoftë, përmendet edhe trajneri aktual i Totenhemit, Maurisio Poketino.
ESPN-ja njofton se në skenë ka dalë një emër i ri dhe ky është Leonardo Zhardim që ka qenë i suksesshëm me Monakon. Në fakt, ky klub principate u përfshi nga kriza dhe Zhardimi u detyrua të largohet dhe tani ai është i paangazhuar, kështu që nuk do të jetë ndonjë çudi e madhe që ai të ulet në stolin e drejtimit të klubit “mbretëror”.
Lenardo Zhardim që ka lindur në Venezuela, gjatë karrierës së tij ka drejtuar ekipe të tillë si Braga, Okimpiakos dhe Sportingu i Lisbonës, para se të marrë më 2014 Monakon, në krye të së cilës ai arriti të triumfojë në Ligën e 1-rë franceze dhe të arrijë deri në gjysmëfinale të Ligës së Kampioneve.
Sa për kujtesë, Reali i Madridit, momentalisht, drejtohet nga trajneri i ekipit B të tij, Santiago Solari.
Sfidanti.al