Nuk dihet sa e dëgjon babin, që thotë se Guardiola kthehet tek Barça

Nga Katalonja është larguar në 2012, pasi fitoi shumë, por edhe i lodhur dhe me një thyerje. Pep Guardiola sot nuk duket aspak trajneri i dikurshëm, aq i dashur për Barcelonën dhe tifozët, që në 3 vjet fitoi 14 trofe të rëndësishëm, veçse babai i tij mendon se e kaluara mund të përsëritet. Valenti Guardiola ishte i ftuar në ceremoninë e çmimit që i jepej të birit nga Federata Katalanase e Futbollit, si trajneri më i mirë, dhe aty u pyet për këtë temë.

“Ekziston mundësia që ai të kthehet tek Barcelona, por mund të kthehet si trajner, – tha ai, – nuk e di se për çfarë motivi mund të kthehej, por besoj se mund të kthehet”. Pep thuhet se ishte i lidhur me ish-presidentin Laporta, dhe se nuk ka marrëdhënie shumë të mira me presidentin e tanishëm, Bartomeu. Që nga viti 2012 kur iku, ai punoi tek Bajerni për 3 vjet (2013-2016) dhe që nga ajo kohë tek Mançester Siti. Në “Kamp Nou”, ai fitoi 3 tituj kampion radhazi, 2 kupa të Spanjës, 2 Champions, 2 Superkupa të Europës, 2 Kupa të Botës për klubet si dhe 3 Superkupa të Spanjës.

Sfidanti.al