Duket si ajo historia e dhelprës me rrushtë, por pak më e ndryshme. Dihet ambicia e Realit për të marrë edhe Kilian Mbapenë, edhe Erling Halandin, por edhe që Barcelona ka objektiv që ta ketë të vetin sulmuesin norvegjez të Dortmundit. Pikërisht së fundmi, e përditshmja katalanase “Sport” shkruan se ka informacione që në Madrid kanë frikë nga dëmtimet e shpeshta të Halandit, i cili ka humbur jo pak ndeshje këtë sezon në Gjermani dhe Europë. “Reali shqetësohet që Halandi mund të kthehet në një Hazar të ri, – shkruan “Sporti”, – ai pësoi një dëmtim muskulor ndaj Hofenhajmit, që është i treti këtë sezon, dhe ka humbur 10 ndeshje”. Gjithsesi, “Sporti” e di se Barcelona nuk tërhiqet kur vjen puna tek norvegjezi 21-vjeçar, pra nuk beson shumë se ai mund të jetë një “Hazar” apo një “Bejl”. Dhe që të marrësh Halandin, duhen 200 milionë euro për kartonin dhe rrogën.
Sfidanti.al