Mirë që janë Benzema dhe Asensio, Reali po fiton me shpirt ndër dhëmbë!

Në pamje të jashtme, po shkon drejt festave me “kokën lart” dhe me “duart plot”. Në vend të parë në La Liga (edhe pse me dy ndeshje më shumë të luajtura), si dhe i kualifikuar i pari në grupin e Championsit, Reali i Zinedin Zidanit mund të jetë i lumtur përpara Krishtlindjeve, por vetëm madrilenët e dinë se çfarë hoqën për të mundur 2-0 Granadën. “Ishte një ndeshje shumë e vështirë, shumë e luftuar, dhe me rezultat të paqartë, – pranoi Zidani, – sidomos pjesa e parë na bëri të vuajmë shumë, ndërsa pas pushimit ishim më mirë”. Karim Benzema shënoi golin e tij të 11-të në 11 ndeshje këtë sezon, ndërsa Marko Asensio i dha një asist spektakolar Kasemiros që shënoi golin e dytë. Lajm i keq dëmtimi i Rodrigos, ndërsa Eden Hazar cilësohet ende jo gati për ndeshje të tilla të egra. Jo më kot e përditshmja “AS” shkruan se “cilësia më ekselente e këtij Madridi është rezistenca”, ndonëse duhet thënë se fizikisht Reali nuk është mirë. Kasemiro shënoi në 56’ dhe Benzema në 90’+2.

Sfidanti.al