Italianët kanë shpresë të shtojnë edhe një kroat tjetër, por duket e vështirë. Luka Modriç, superylli kroat, nuk pritet ta ketë të lehtë të largohet nga Reali, edhe pse dëshira e tij duket se është Interi. Presidenti Florentino Perez dhe trajneri Hulen Lopetegi kanë diskutuar mes tyre dhe kanë vendosur se regjisori 32-vjeçar është i pazëvendësueshëm për kampionët e Europës.
Lopetegi kërkon një lojë të shpejtë e vertikale, dhe për këtë janë të domosdoshëm lojtarë të mesfushës si Modriç, Kros apo Kasemiro, baza e suksesit të deritanishëm. Perez ka ritheksuar se do të duhen plot 750 milionë euro për ta lejuar kroatin që të largohet, ndryshe nga lëshimi që bëri për Kristiano Ronaldon, duke pranuar diçka më shumë se 100 milionë.
Serioziteti i Madridit duket nga fakti se Perez apo Lopetegi nuk kanë bërë asnjë përpjekje për të gjetur një zëvendësues për numrin 10. Modriç ka 6 vjet me Realin dhe ka fituar gjithçka, veçse mosha e tij gati 33-vjeçare nuk i ka stepur drejtuesit madrilenë. Botërori e tregoi qartë se në rruzull, sot për sot, nuk ka asnjë të ngjashëm me të. Jo më kot, kapiteni i Kroacisë u shpall lojtari më i mirë i Kupës së Botës në Rusi, dhe arriti finalen.
Sfidanti.al