Lionel Messi, Mr.400 Golëshi i Barcelonës në La Liga

Nga 1 maji i 2005 në 13 janarin e 2019, nga Raul Valbuena te Asier Riesgo, nga 1 në 400. Legjenda e sulmuesit argjentinas të Barcelonës që sot mban edhe shiritin e kapitenit po forcohet akoma më shumë. Në moshën 31 vjecare, Lionel Messi është në kuotën e 400 golave të shënuar në kampionatin spanjoll dhe nëse vazhdon me këtë ritëm atëherë kuota e 500 golave nuk është një kufi i pamundur për t’u arritur.

Nga këto 400 gola, 327 Messi i ka shënuar me këmbën e majtë, ndërsa me të djathtën ka 58, një aspekt ky që po e përmirëson me kalimin e viteve. Në repertorin e tij janë edhe 14 gola me kokë e madje edhe 1 me dorë por ky i fundit nuk sjell aspak kujtime të këndshme sepse atë ditë që shënoi këtë gol me dorë, Barcelona humbi titullin kampion të Spanjës.

Mesatarja e Messit në 435 ndeshjet e zhvilluara prej tij në La Liga është 0.92 gola për ndeshje, një shifër e paimagjinueshme për ata lojtarë që kanë lindur në epoka të tjera. Por Messi nuk dallohet vetëm në shënimin e golave, argjentinasi ka në bilancin e tij edhe 159 assiste që tregon edhe njëherë natyrën e këtij lojtari dhe vizionin që ka për lojën gjatë zhvillimit të ndeshjeve.

sfidanti.al