Kush është ky Ronaldo? Spanja zgjedh Mesin dhe Iniestën

Ishte mbrëmja e dy yjeve të Barcelonës. Ata ishin Lionel Mesi dhe Andres Iniesta që u nderuan më shumë se të gjithë nga gazeta më e madhe sportive e Spanjës, “Marka”, duke mposhtur konkurrencën e yjeve të Realit.

Mesi fillimisht mori çmimin e lojtarit më të mirë të ligës spanjolle, ndërsa Iniesta më pas, u përzgjodh si futbollisti më i mirë i kombëtares së Spanjës për sezonin e kaluar 2016-2017. Iniesta udhëhoqi seleksionin iberik në sukseset e mëdha në eleminatoret e Botërorit, duke dalë në vend të parë dhe me diferencë ndaj Italisë, Shqipërisë, Izraelit apo Maqedonisë.

Për Mesin u dha edhe trofeu i shënuesit më të mirë të kampionatit spanjoll, pasi edicionin e kaluar i la pas që të gjithë. Argjentinasi i Barcelonës shënoi 37 gola, ndonëse theksoi se për të, më shumë vlerë kanë trofetë me skuadrën dhe jo ata individualë.

Mbrëmjen e së dielës, po ashtu, pati një tjetër vlerësim të lartë për numrin 10 katalanas. Ai paraqiti përpara tifozëve në stadiumin “Kamp Nou”, Këpucën e Artë si shënuesi më i mirë i Europës për edicionin e kaluar.

Kjo ndodhi përpara ndeshjes ndaj Deportivos të vlefshme për La Ligën, që Barcelona e fitoi 4-0, dhe ku Mesi goditi tri herë shtyllat, humbi një penallti, por nuk mundi të shënonte asnjë gol.

Sfidanti.al