Koha e ‘El Clasicos’, Zidane: Nuk do bëjmë tunelin e nderit për Barçën

Erdhi përsëri koha për të parë El Clasicon e famshëm mes Barcelonës dhe Realit të Madridit. Këtë radhë gjigandët e La Ligës do të përballen në Camp Nou në të tjera kushte. Katalanasit vijnë si kampionët e saposhpallur të Spanjës ndërsa Reali si skuadra që do të luajë finalen e Ligës së Kampioneve në 26 maj ndaj Liverpulit.

Në prag të kësaj ndeshjeje Zidane doli në konferencën e zakonshme për shtyp për të konfirmuar se skuadra e tij nuk do ta bëjë të famshmen ‘pasillo’ në nder të Barcelonës për titullin. ‘Kush jam unë për të vendosur-tha Zidane-pastaj mbaj mend që edhe Barcelona nuk e bëri tunelin e nderit për ne kur fituam Botërorin e klubeve. Kujtoj se për të fituar këtë trofe duhet që fillimisht të triumfosh në Ligën e Kampioneve. Gjithsesi ne respektojmë atë cfarë arriti Barcelona.

Kohët e fundit për Realin e Madridit janë ngritur shumë polemika për shkak të vendimeve arbitrare në favor të kësaj skuadre në ndeshjet e Ligës së Kampioneve.

‘Në finale falë arbitrave? Asgjë nuk është e vërtetë-tha Zidane-e merituam kalimin në finale për atë cfarë bëmë që nga fillimi i sezonit. Fituam edhe pse patëm shumë vështirësi. Nuk mund të minimizohen sukseset tona duke folur për arbirtrat. Eliminuam skuadra si PSG, Juventus, e Bajern e nuk është pak’.

sfidanti.al