Në fillim Toni Kros, pastaj Naço Fernandez, dhe së fundmi “dirigjenti” nga Kroacia. Zinedin Zidan nuk dëshiron të bëjë “tabula rasa” tek Reali i tij, edhe pse “eksodi nga parajsa” do të jetë masiv. “Marka” njofton se klubi i dha mundësi Luka Modriçit që ta zgjaste edhe me një vit kontratën, deri në 2021. Komenti i gazetës madrilene ishte: “Topi i Artë i dha një sezon më shumë kontratë, Lukës!”
Zidan, si një ish-lojtar i madh dhe pjesë e përfaqësueses së Francës dikur, ka shpresë se lojtarë si Modriç dhe Kros do të jenë sërish tepër të vlefshëm, tashmë që do t’i kalojë lodhja e Botërorit. Sezoni i kaluar ishte tepër i rëndë për ta, sepse nuk pushuan siç duhet, ndërsa tani do të jetë ndryshe. Kros, madje, pranoi hapur se asnjë nga lojtarët e Realit nuk luajti këtë edicion as në nivelet minimalisht të pranueshme, ndërsa pritet që të bëhet autokritika. Modriç ka besimin e plotë të Zidanit, ashtu si edhe të publikut madrilen.
Sfidanti.al