“Jo” Xhekos e Kavanit, “po” Depait, por Barça nuk ka para për sulmues!

Ronald Kumani e do një lojtar ofensiv tani pas largimit të Luis Suarezit tek Atletiko e Madridit. Edhe pse ka Grizmanin, Dembelenë, Mesin dhe Ansu Fatiun, duhet një numër “9” siç ishte uruguajani, dhe në “Kamp Nou” mendojnë se duhet të përqëndrohen tek Memfis Depai, jo tek Edinson Kavani dhe Edin Xheko. Siç shkruan “El Mundo Deportivo”, Barcelonën nuk e pengon edhe aq blerja e kartonit prej 20-25 milionë eurosh, sesa rroga e Depait. Ndikimi i krizës së koronavirusit ka qenë i tillë që klubi duhet të ulë borderonë e pagave. Deri tani e ka bërë duke transferuar Suarezin, Vidalin e Rakitiçin, që kishin kontrata të larta, por sipas të përditshmes katalanase kjo ende nuk mjafton. Barça po përpiqet të largojë të tillë si Rafinjën, Zhuniorin, Todibon dhe të japë hua të paktën Ymtitinë, që ka ardhur pikërisht nga Lioni. Francezët duan që ta mbajnë Depain, ndërsa në “Kamp Nou” e kanë të vështirë të synojnë Lautaro Martinezin sepse klauzola e tij është tepër e lartë.

Sfidanti.al