Iniesta: Lojtari më i rëndësishëm i Barcelonës mbas Mesit është…

Andres Iniesta ngjalli një kënaqësi të përgjithshme në Torino me performancën e tij dhe, kur u largua nga fusha, ai u përcoll me duartrokitje të forta nga tifozët e Juventusit, një pamje kjo e zakonshme, me të cilën ne jemi mësuar tanimë, kur është fjala për kapitenin e Barcelonës që, me modestinë dhe magjinë e tij, thjesht, bën që ai të ketë respektin e madh edhe të simpatizantëve asnjanës të futbollit. Iniesta, kushedi për të satën herë, u përshëndet furishëm nga tifozët kundërshtarë, kështu që edhe ai i falënderoi tifozët juventinë.

Në zonën miks, në një analizë të shkurtër për ndeshjen, Iniesta, midis të tjerave, vlerësoi lart formën e portierit të Barçës, Mark Andre Ter Shtegen që, sipas tij, është mbi të gjithë lojtarët e tjerë të klubit katalonjas, mbas Lionel Mesit. “Të gjithë ne e dimë se çfarë kualiteti zotëron Der Shtegeni, për më tepër, ai ka ende hapësirë që të përmirësohet edhe më shumë. Mbas më të mirit (ka parasysh Mesin), ai dallon nga të gjithë lojtarët e tjerë në fushë. Ai e përballon me sukses presionin dhe është në gjendje që të zgjidhë situatat, kur sulmojnë kundërshtarët”, vuri në dukje Iniesta.

Sfidanti.al