Firma nga zhgënjimi: Janë mbledhur mëse 3000 vota “anti-Bartomeu”

Mëse 3000 anëtarë të Asamblesë së Barcelonës kanë dhënë votën e tyre në favor të peticionit “anti-Bartomeu”, më saktë, në favor të largimit të Hosep Bartomeut nga posti i presidentit të klubit katalonjas. Largimin e tij e ka propozuar, në fakt, një nga ish-kandidatët për postin e presidentit këtij klubi, anëtari aktual mjaft aktiv i Asamblesë së Barcelonës, Agusti Benedito. Peticioni i tij ka filluar, më 1 shtator, por që të pranohet ndonjë peticion ose propozim i ri për reforma në zyrat e Barcelonës, duhet që të mblidhen, të paktën, 16 570 vota, deri në fund të tetorit. Benedito shpreson që të mbledhë më shumë vota gjatë ndeshjes së Barçes kundër Juventusit në Ligën e Kampioneve.

Në fakt, për zëvendësimin e presidentit aktual të klubit katalonjas ka disa kohë që po flitet, pasi as Asambleja e klubit dhe as tifozët nuk janë të kënaqur me drejtimin e Barcelonës nga njerëzit kryesorë të saj, sidomos, për shkak se ai (Bartomeu) nuk ishte në gjendje që të sillte në “Kamp Nou” Kutinjon dhe Veratin, ndërkohë që problem më vete është edhe zgjatja e nënshkrimit të kontratës së re nga ana e Lionel Mesit. Bartomeu thotë se gjithçka ka përfunduar dhe Mesi do të vazhdojë që të qëndrojë, por, sidoqoftë, kontratë ende nuk ka. Në një situatë të ngjajshme ndodhet edhe Andres Iniesta.

Sfidanti.al