Dhjetë vjet të Simeones tek Atletiko: Unë njoh vetëm një rrugë!

Prezantimi i tij u bë në 23 dhjetor 2011, pra ka kaluar vetëm një ditë nga përvjetori i 10-të i Diego Pablo Simeones në stolin e Atletikos së Madridit. Trajneri i shquar argjentinas nuk e feston dot këtë përvjetor me lumturi, pasi Atletiko është në krizë në kampionatin spanjoll, por gjithsesi askush në klub dhe në Spanjë nuk mendon se mund ta vendosë në dyshim suksesin e tij. Me Simeonen, Atletiko fitoi 8 trofe të rëndësishëm, mes të cilëve 2 tituj në La Liga, duke qenë aktualisht kampion i Spanjës në fuqi. U fitua edhe Kupa e Mbretit, Superkupa e Spanjës, Liga e Europës dy herë dhe dy herë Superkupa e Europës. Dhimbje për “Çolon” janë dy finalet e Championsit të humbura ndaj Realit të Madridit. Nuk dihet sesa kohë Simeone do të vazhdojë tek Atletiko, por ai paralajmëron se “unë njoh vetëm një rrugë”. Me siguri, rrugën e suksesit.

Sfidanti.al