Çfarë po ndodh Simeone? Atletiko edhe më larg Championsit pas barazimit!

Nuk janë pak 95 ditë ndërprerje dhe jo çdo skuadër e ndjen njëlloj. Nëse Barcelona e shumë yjeve ia doli të fitonte qartë ndaj një kundërshtari që u duk i lehtë, nuk ndodhi kështu me Atletikon e Madridit. Në stadiumin e zbrazur të Bilbaos, kryeqytetasit nuk shkuan më larg se barazimi 1-1 ndaj Atletikut vendas. Iker Muniain kaloi vendasit në epërsi, ndërsa Diego Kosta barazoi, me të dyja rrjetat në pjesën e parë.

Ky rezultat bëri që Atletiko të mbetet 4 pikë prapa Seviljes së vendit të katërt, pozicioni i fundit që të kualifikon për në Champions. Një moment aspak i mirë për bardhekuqtë, ndonëse ka ende 10 javë deri në përfundim të La Ligës. Problemikryesor për Atletikon mbetet ai i përhershmi, që shënon pak gola, vetëm 32 deri tani në 28 ndeshje, më pak se 10 skuadra të tjerë të kampionatit, dhe padyshim më pak sesa ekipet që ndodhen mbi të në renditje. Një shqetësim jo i vogël për Simeonen, që është trajneri më i paguar në Spanjë dhe në Europë, e prej të cilit kërkohen rezultate, të paktën kualifikimi për në Champions.

Sfidanti.al