Shpesh kanë pasur qendrime të ndryshme, madje edhe të kundërta. Pavarësisht se nuk flitet për luftë në kuptimin e vërtetë të fjalës, sërish raportet politike dhe ato sportive mes Madridit dhe Katalonjës nuk janë aspak të mira, dhe kjo u pa edhe pas ndeshjes së Kupës së Mbretit mes katalanasve e Seviljes. Barça u kualifikua me fitoren 3-0 në gjysmëfinalen e dytë, ndërsa mediat e kryeqytetit të Spanjës, dhe ato të kryeqendrës katalanase patën vlerësime të ndryshme.
Të përditshmet katalanase, “El Mundo Deportivo” dhe “Sport” nuk i kursyen himnet për ekipin e zemrës, me tituj të shkurtër e goditës, si “Epike” apo “Madhështore”! Ato theksuan se skuadra e trajnerit Kuman pati forcën psikologjike për të luftuar deri në fund, duke pasur edhe fat, por sidomos meritë! Siç ndodh shpesh, nuk përmenden polemikat, sidomos në momemte të tilla, ndonëse për këtë mendojnë mediat e Madridit.
Gazeta “AS” thekson se Barça arriti në finale me polemikë, por gjithashtu thekson se katalanasit patën ambicie për të realizuar përmbysjen ndaj një Seviljeje me 10 lojtarë! Andaluzët akuzuan se arbitri nuk përjashtoi Mingesën dhe nuk dha një penallti. E vërtetë, që pati dyshime të forta në fund për prekje me dorë të topit nga Lengle në zonë, por që VAR-i dhe arbitri nuk e quajtën penallti.
Po ashtu për penalltinë e shkaktuar nga Mingesa, dhe që u prit nga portieri Ter Shtegen. Ajo pritje ishte fati i madh i katalanasve, që e shfrytëzuan deri në fund.
“Si trajner nuk mund t’u kërkoj lojtarëve më shumë sesa dhanë në këtë ndeshje, – deklaroi Kumani, – ne luftuam deri në pikën e fundit të energjisë, dhe kjo ishte e pabesueshme. E merituam fitoren. Jam shumë i kënaqur me skuadrën. Kurrë nuk u dorëzuam dhe besuam deri në fund”.
Një sukses i shumëpritur në një javë të vështirë pas arrestimit të ish-presidentit Bartomeu dhe 3 drejtuesve të tjerë të klubit. Gjithsesi, java mund të mbyllet shkëlqyeshëm me zgjedhjet presidenciale, ku pritet të fitojë Laporta e t’i japë fund krizës.
Sfidanti.al