Bejli, kapiten e golshënues, përse Reali mendon ta largojë?!

Përgjigja dihet, shkak janë dëmtimet, por edhe dëshira e uellsianit për të luajtur më shumë. Garet Bejl, sidoqoftë, do ta lerë mënjanë diskutimin për të ardhmen të paktën tani, dhe do të hapë një shishe me shampanjë. Kjo, pasi ndeshja ndaj Leganjesit do të mbetet e veçantë për numrin 11 madrilen, i cili vendosi për herë të parë në krah shiritin e kapitenit.

E bëri në minutën e 60-të, pasi Zidan vendosi të largojë nga fusha Karim Benzemanë, ndërsa pati një histori të vogël për shiritin. Benzema ia dorëzoi Marko Asensios që e pati më afër, ndërsa po dilte, ky i fundit fillimisht shkoi drejt Kasemiros, por braziliani i bëri me shenjë që t’ia jepte Bejlit.

Uellsiani kishte shënuar që më parë një gol, i 15-ti sezonal për Realin, duke u bërë golshënuesi i dytë më i mirë i edicionit, pas Ronaldos që ka 42. Në katër nga 5 sezonet në Madrid, Bejl ka shënuar të paktën 15 gola. Të martën, gjithsesi, ai pritet të ulet në stol në ndeshjen e Championsit ndaj Bajernit, ndërsa do të vazhdojë të mendojë për të ardhmen.

Sfidanti.al