Barcelona rigjen fitoren në kampionatin spanjoll pas 3 barazimeve radhazi. Skuadra katalanase mposhti në Pamplona, Osasunën me rezultatin e pastër 3-0 në një ndeshje ku protagonist u bë Lionel Messi, i cili regjistroi sfidën e tij të 550 me katalanasit, duke u bërë i 4 futbollist në historinë e Barcelonës që e arrin këtë numër ndeshjesh me fanelën blaugrana.
Barcelona krijoi raste pafund në pjesën e parë me Suarez, Messin apo Iniesta-n, por pa mundur dot të zhbllokojë rezultatin. Osasuna nga ana e saj u shfaq në portën e Ter Stegen vetëm në minutën e 30 kur Riera nuk mundi dot të dërgojë në rrjetë një top të hedhur në zonë nga Sergio Leon. Pjesa e parë përfundoi me rrjeta të paprekura.
Përpjekjet e Barcelonës morën shpërblimin e merituar në pjesën e dytë teksa zhbllokoi rezultatin me golin e Suarez në një aksion të nisur nga Lionel Messi. Në minutën e 72 ishte vetë argjentinasi që dërgoi topin në rrjetë për të dytën herë për katalanasit pas një pasimi të Jordi Alba-s.
Në minutat shtesë të sfidës, Barcelona gjeti edhe golin e tretë, sërish me Lionel Messin që merr kreun e klasifikimit të golashënuesve në kampionat me 11 gola.