Barça në rregull me ekipin “B”, por Reali “B” merr kritika

“Goleadë me vuajtje” ishte titulli i “Markës” për suksesin e Realit 3-0 në fushën e Numansias për Kupën e Mbretit. Suksesi me golat e Bejlit, Iskos e Borha Majoralit nuk i gënjyen analistët e gazetarët, që theksuan se Reali “B” nuk është më aq i fortë sa ka qenë më parë. Deri në minutën e 89-të, ndeshja ishte 1-0 për madrilenët, ndërsa Numansia po luante me 10 vetë që nga minuta e 60-të. Në fushë ishin disa lojtarë të vlerësuar si Garet Bejl, Marko Asensio, Karvahal, Vajeho, Lukas Vaskez apo Borha Majoral dhe përballë kishin një kundërshtar të dobët, por duket se as Reali “B” nuk është shumë i mirë, ashtu siç sjell alarm edhe Reali “A” i Ronaldos e Sergio Ramosit.

Po Barcelona? Katalanasit nuk kishin në fushë Mesin, Suarezin, Iniestën e shumë të tjerë, por vetëm Pikenë, Busketsin apo Vermelenin, ndërsa luajtën në fushën e një ekipi të vështirë si Selta. Barazimi 1-1 në Kupën e Mbretit ndihmoi falë golit të Zhoze Arnaizit (3 gjuajtje, 3 gola këtë sezon), ndërsa lajmi i madh ishte rikthimi në fushë nga dëmtimi i Usman Dembelesë. Barcelona “B” nuk u duk edhe aq keq, ndonëse nuk fitoi.

Sfidanti.al