Barça ka vetëm një javë në dispozicion ta blejë Nejmarin

Kalimi eventual i Nejmarit te Barcelona nuk do të mund të bëhet ndonjë sagë transferimi, sepse, siç  bën të ditur PSZH-ja, ky klub francez i ka njoftuar tanimë katalonjasit se këta të fundit kanë vetëm një javë në dispozicion që të paraqesin kërkesën e tyre për futbollistin brazilian.

Stafi drejtues i trajnerit të PSZH-së, Tomas Tuhel, e ka marrë Nejmarin në përbërje të ekipit në Kinë dhe ka në plan që ta përfshijë atë më 1 gusht në përgatitjet për fillimin e sezonit të ri të Ligës së 1-rë franceze. Nëse kjo do të ndodhë, atëherë asi brazilian do të hiqet nga lista e transferimeve dhe të gjithë ofertat për të do të refuzohen.

Dhe që t’i japin fund pakënaqësisë e Nejmarit, njerëzit që drejtojnë klubin francez, kanë në plan që t’ia rrisin atij konsiderueshëm pagën. Momentalisht, ai merr 36 milionë euro në vit ose 3 (tre) milionë euro në muaj. Më shumë se ai, merr vetëm Lionel Mesi – 41 milionë euro për sezon dhe Nejmari do të mund t’i afrohet atij, nëse do të vendosë të qëndrojë në Paris.

Duke qenë se tani është vendosur një afat i fundit, ka shumë mundësi që kryesia e Barcelonës t’i intensifikojë bisedimet, ndërkohë që oferta e parë e saj 40 milionë eurosh plus dy lojtarë sipas dëshirës është hedhur poshtë nga PSZH-ja që kërkon 300 milionë për Nejmarin!

Sfidanti.al